Entrenovu Hub është një platformë inovative që mbështet bizneset dhe industritë shqiptare dhe rajonale për të hyrë në tregun e ekonomisë së gjelbër dhe energjisë së qëndrueshme me njohuri specifike, metodike dhe zgjidhje konkrete. Përmes paketave informative, konsulencës teknike dhe komerciale, si dhe trajnimeve, Entrenovu Hub ndihmon kompanitë të dekarbonizojnë proceset e tyre, të përmbushin standardet europiane dhe të përfitojnë financiarisht nga mundësitë e tregut global. Duke bashkuar teknologjitë më të fundit si hidrogjeni dhe sekuestrimi i karbonit industrial me një vizion të qëndrueshëm, platforma jonë është partneri ideal për bizneset që duan të përfitojnë jo vetëm nga e ardhmja, por edhe nga mundësitë aktuale që ekzistojnë në treg.

Si lindi ideja për Entrenovu Hub?
Ideja për Entrenovu Hub lindi nga një nevojë reale dhe e paplotësuar në tregun shqiptar dhe atë rajonal: mungesa e informacionit praktik për bizneset që dëshirojnë të përshtaten me tranzicionin energjetik dhe të hyjnë në tregjet europiane të ekonomisë së gjelbër me produktet dhe shërbimet e tyre. Duke pasur përvojë në sektorin energjitik dhe industrinë e gazit dhe prodhimit në Austri dhe Gjermani, dhe duke parë presionin e rregulloreve europiane mbi bizneset për të reduktuar emetimet e karbonit, kuptuam se Shqipëria dhe rajoni kishin potencial të jashtëzakonshëm, por i mungonin burimet dhe njohuritë për ta shfrytëzuar. E dinim që në fillim që një platformë si kjo nuk mund të ndërtohej vetëm me dëshirë – ajo kërkonte durim dhe një ekip të përkushtuar që ndan të njëjtin vizion si dhe në vend të parë interes nga bizneset për një shërbim të tillë. Në fund të fundit, një vizion nuk ka vlerë nëse nuk është i përbashkët dhe ne morëm përgjigjen pozitive prej tregut në Panairin e Energjisë në Nëntor. Kërkesë ka nga bizneset e sektoreve të ndryshëm ashtu dhe nga profesionistët e rinj të cilët janë ata që këto tema do i ndërtojnë në të ardhmen e afërt. Natyrisht zgjidhjet janë individuale për cdo sektor, në radhë të parë ne duam ti tregojmë tregut cilat janë këto si dhe cfarë ka funksionuar në projekte në mbarë botën dhe cfarë mund të implementohet në Shqipëri. Këto nisma na sjellin në mënyrë strategjike dhe më afër Europës, me shërbime dhe produkte kualitative dhe të qëndrueshme „Made in Albania“.
Sa i vështirë ishte për t’u realizuar si projekt?
Realizimi i këtij projekti ishte një proces që na sfidoi në çdo hap. Ishte një përballje me pyetje të vështira: si ta ndërtojmë diçka që i shërben nevojave të sotme të këtyre bizneseve në mënyrë afatgjatë? Si të krijojmë besim tek bizneset shqiptare se ekonomia e gjelbër nuk është vetëm një përgjegjësi, por edhe një mundësi fitimi? Rruga ishte e vështirë, por çdo sfidë ishte një mundësi për të mësuar dhe për të ndërtuar diçka që besojmë se ka vlerë për shumë njerëz.
Kur projekti nisi vizioni ynë parashikonte në radhë të parë planifikimin dhe implementimin e projekteve, por bazuar në përgjigjet dhe analizat e tregut kuptuam shpejt se tregu shqiptar kërkon informacione praktike dhe metodika të cilat mund të zbatohen nga bizneset. Prandaj dhe si fazë të parë ne zgjodhëm të bëjmë një pivotim dhe ti përgjigjemi këtyre kërkesave me platformën dhe paketat informative të cilat do të publikohen në fund të janarit. Përvec tyre Entrenovu ofron dhe zgjidhje individuale për zhvillimin e biznesit dhe produkteve të qendrueshme industriale.
Si kanë qenë 6 muajt e parë të sipërmarrjes?
Gjashtë muajt e parë kanë qenë intensivë, të mbushur me sfida dhe suksese ku vizioni i Entrenovu Hub ka filluar të marrë formë. Si një startup, sfida e sigurimit të financimit për një projekt kaq ambicioz ishte një pengesë e konsiderueshme, por bashkëpunimi me Startup Albania dhe mbështetja nga Ministria e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit ishin thelbësore për suksesin tonë. Kemi hedhur themelet e platformës e cila mbulon tema si hidrogjeni, dekarbonizimi i industrisë së ndërtimit, tregu i karbonit industrial dhe standardet europiane për eksport. Përmes pjesëmarrjes në Panairin e Energjisë, Ndërtimit dhe Ekonomisë së Gjelbër, kemi promovuar Entrenovu Hub dhe kemi krijuar lidhje të rëndësishme me bizneset dhe organizatat. Platforma është pritur me interes të madh nga bizneset shqiptare, të cilat tani kanë një pikë kontakti për të eksploruar tregun e ekonomisë së gjelbër dhe për të optimizuar proceset dhe produktet e tyre. Kjo, për ne, është dëshmia më e madhe se po ecim në rrugën e duhur. Natyrisht, jo për cdo biznes apo sektor ka zgjidhjen 100% gati por cdokush që synon zgjerimin dhe tregun europian mund të informohet për potencialin që i paraqitet.
Me çfarë konkurron në treg dhe si parashikohen hapat në vijim?
Në treg ne konkurrojmë jo vetëm me ekspertizën teknike dhe njohuritë praktike, por me një filozofi që kombinon inovacionin me aspektin komercial (modele biznesi) me traditën e provuar inxhinjerike. Shërbimet tona janë krijuar për të adresuar nevojat lokale dhe për të ndihmuar bizneset shqiptare. Hub është një platformë që ofron më shumë se njohuri, është një partner që ju ndihmon të ndërtoni të ardhmen tuaj. Ne besojmë se teknologjitë si hidrogjeni, kapja e karbonit dhe zgjidhjet për ekonominë qarkulluese janë jo vetëm sfidat e kohës sonë në mes të një tranzicioni energjitik, social dhe digjital, por edhe mundësitë e saj më të mëdha. Sidomos në një kohë të tillë ku tregjet jo vetëm europiane por ato globale po zhvillohen vrullshëm dhe përvec zgjidhjeve inovative kërkojnë dhe prodhim të qendrueshëm në masë dhe me kosto të pranueshme. Përse jo nga Shqipëria?
Ajo që na diferencon më shumë është angazhimi ynë për të krijuar vlera reale dhe të prekshme për klientët tanë. Ne nuk flasim vetëm për të ardhmen por tregojmë si mund të nisni sot. Nëse jeni një CEO, strateg ose zhvillues biznesi, ne ju ofrojmë një rrugë konkrete për të hyrë në tregun e dekarbonizimit dhe për të rritur fitimet tuaja. Nëse jeni një i ri që kërkon të ndërtojë një karrierë në një fushë me ndikim afatgjatë, Entrenovu Hub është vendi ku mund të përgatiteni dhe të jeni pjesë e ketij transformimi.
Hapat në vijim
Entrenovu Hub nuk është thjesht një platformë; është një vizion për të ardhmen e biznesit shqiptar. Ne synojmë të konsolidohemi në tregun shqiptar si fokusin primar me shërbime të mëtejshme dhe me trajnime si dhe të zgjerojmë ndikimin tonë në të gjithë Ballkanin. Prej eksperiencës të përbashkët në projekte me kompani europiane prezantojmë dhe një pikë kontakti për bashkëpunime ndërkombëtare për projekte, teknologji dhe network furnitorësh industrialë. Por këtë udhëtim nuk mund ta bëjmë vetëm dhe duam që ju të bëheni pjesë e këtij vizioni – si klientë, partnerë apo si ambasadorë.
Shqipëria ka potencialin për të qenë një lider në rajon për ekonominë e gjelbër. Së bashku, mund ta kthejmë këtë potencial në realitet. E ardhmja është e gjelbër dhe fitimprurëse – dhe është e jona për ta ndërtuar së bashku.



Kontakt
Rozalba Xhori, CEO
www.entrenovu.com
www.hub.entrebovu.com












