“Hajduti dhe Rebelja”, historia inspiruese e dy të dashuruarve të rinj e të guximshëm

Duhet ta zgjedhim me kujdes çdo gjë që lexojmë. Ashtu siç zgjidhen llojet e ushqimeve për ta mbajtur organizmin e njeriut të shëndoshë, ashtu duhen zgjedhur edhe librat që lexojmë, për të shërbyer vërtet si një ushqim shpirtëror.

Shtëpia botuese Pegi sjell përrallën e një dashurie të ndaluar dhe e një guximi të jashtëzakonshëm përballë një katastrofe, nga autori i librit më të shitur në mbarë botën “Në gjurmët e një përralle”.

“Hajduti dhe Rebelja” është historia e dy të dashuruarve të rinj e të guximshëm, të cilën duhet të vendosin, siç thotë vetë Sendker, “çfarë jete duan të bëjnë, nga cilat vlera morale të prindërve të tyre të shkëputen”.

Djaloshi 18-vjeçar Niri dhe familja e tij bëjnë një jetë të thjeshtë, por të sigurt, duke punuar në vilën e familjes së pasur Benz. Por kur pandemia pllakos botën, të gjithë lihen në mëshirë të fatit duke parë në sy honin e një varfërie të skajshme. Ndërsa gjendja e tyre bëhet gjithnjë e më e dëshpëruar, Niri, dikur nxënës manastiri, që respektonte të gjitha rregullat, vendos që nuk do të presë më duarkryq ndihmat e një qeverie të korruptuar dhe shpërfillëse ndaj popullit, madje ai rebelohet edhe ndaj të atit, që tashmë i është dorëzuar fatit të tij.

Fshehurazi, nëpër qytetin e izoluar për shkak të pandemisë, në kushtet e një shtetrrethimi të egër, përmes patrullave ushtarake, Niri kthehet te vila për të marrë ushqimet e nevojshme për mbijetesën e familjes. Aty e pret shoqja e fëmijërisë, Meri, e bija e zotit Benz, e cila ka një plan më të madh, që do t’ua ndryshojë jetën përgjithmonë.