Kompania juaj mund të ketë vlerësime shumë të mira në Google, por ekipi i shitjeve vazhdon të përballet me pyetje të klientëve rreth komenteve apo artikujve negativë në internet.
A po përmirësohet vërtet reputacioni i biznesit, apo po monitoroni vetëm një pjesë të tij?
Në një kohë kur konsumatorët informohen përmes motorëve të kërkimit, rrjeteve sociale dhe platformave të Inteligjencës Artificiale, menaxhimi i reputacionit po bëhet një proces gjithnjë e më kompleks.
Scott Keever, ekspert i SEO-s dhe menaxhimit të reputacionit online, sugjeron në Forbes pesë tregues që drejtuesit e kompanive duhet të analizojnë çdo tremujor.
1. Reputacioni në rezultatet e Google
Çfarë shfaqet kur dikush kërkon emrin e kompanisë apo të drejtuesve të saj në Google?
Një metodë e thjeshtë është analizimi i 20 rezultateve të para organike dhe klasifikimi i tyre si pozitive, neutrale ose negative.
Nëse 12 rezultate janë pozitive, pesë neutrale dhe tre negative, kompania ka një profil me 60% rezultate pozitive, 25% neutrale dhe 15% negative.
Megjithatë, pozicioni i rezultateve ka po aq rëndësi sa numri i tyre. Një artikull negativ në krye të Google mund të ketë më shumë ndikim sesa disa artikuj negativë që shfaqen më poshtë.
2. Rezultatet negative në faqen e parë
Shumica e njerëzve krijojnë një përshtypje për biznesin nga rezultatet e para të kërkimit.
Për këtë arsye, kompanitë duhet të monitorojnë veçmas përqindjen e rezultateve negative në faqen e parë të Google, duke analizuar se si ndryshon pozicionimi i tyre me kalimin e kohës.
Ky informacion ndihmon drejtuesit të kuptojnë nëse një problem reputacional po bëhet më i dukshëm për publikun.
3. Saktësia e informacionit të gjeneruar nga AI
Gjithnjë e më shumë njerëz po përdorin platformat e Inteligjencës Artificiale për të marrë informacion rreth kompanive, produkteve dhe drejtuesve të tyre.
Bizneset duhet të krijojnë një grup pyetjesh standarde rreth historikut, shërbimeve, reputacionit dhe drejtimit të kompanisë, për të kontrolluar periodikisht përgjigjet që gjenerojnë këto platforma.
Nëse një përgjigje përmban 20 pohime faktike dhe 18 prej tyre janë të sakta, niveli i saktësisë është 90%.
Megjithatë, jo të gjitha gabimet kanë të njëjtën peshë. Një datë e pasaktë themelimi mund të ketë ndikim të kufizuar, ndërsa informacioni i rremë për praktikat e biznesit mund të kërkojë ndërhyrje të menjëhershme.
4. Si e percepton AI kompaninë tuaj?
Përveç saktësisë së informacionit, rëndësi ka edhe mënyra se si prezantohet biznesi.
Një përgjigje mund të përmbajë fakte të sakta, por të krijojë një perceptim negativ për kompaninë.
Drejtuesit mund t’i klasifikojnë përgjigjet e platformave AI si pozitive, neutrale, të përziera ose negative, duke analizuar njëkohësisht burimet mbi të cilat mbështeten ato.
Qëllimi nuk është eliminimi i çdo kritike. Shpesh, kritikat janë pikërisht sinjalet që tregojnë se çfarë duhet të përmirësojë një biznes.
5. Vlerësimet më të fundit të klientëve
Një kompani mund të ketë një vlerësim mesatar prej 4.7 yjesh, të ndërtuar gjatë disa viteve, ndërkohë që vlerësimet e tremujorit të fundit mund të kenë rënë në 3.9.
Kjo diferencë mund të sinjalizojë probleme që ende nuk reflektohen në vlerësimin e përgjithshëm.
Përtej numrave, rëndësi ka identifikimi i ankesave që përsëriten: vonesat, komunikimi, faturimi apo cilësia e shërbimit.
Ashtu siç drejtuesit monitorojnë të ardhurat, shitjet dhe performancën financiare, edhe reputacioni duhet të bëhet pjesë e treguesve periodikë të performancës së kompanisë.
Reputacioni nuk mund të përmblidhet në një numër të vetëm, por matja e treguesve të duhur mund t’i ndihmojë bizneset të identifikojnë problemet përpara se ato të kthehen në kriza./Businessmag.al/












