Fermerët që janë shpallur përfitues nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2026 pritet t’i marrin së shpejti paratë në llogaritë e tyre bankare.
Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural ka bërë të ditur se deri tani janë autorizuar mbi 6.609 pagesa, të cilat janë kaluar në Thesarin e Shtetit dhe pritet të depozitohen në llogaritë bankare të përfituesve. Ndërkohë, procesi vijon me qëllim përfundimin e të gjitha procedurave dhe pagesën e fermerëve të kualifikuar.
Interesi për Skemën Kombëtare të këtij viti ka qenë i lartë. Në total janë regjistruar 42.728 aplikime nga fermerë në të gjithë vendin, ndërsa vlera e kërkesave ka arritur në rreth 7,2 miliardë lekë, përballë një fondi prej 5,2 miliardë lekësh të vënë në dispozicion.
Fieri kryeson për numrin e aplikimeve, i ndjekur nga Korça, Elbasani dhe Vlora, qarqe që kanë një peshë të rëndësishme në prodhimin bujqësor dhe blegtoral të vendit.
Në fazën e parë të shqyrtimit janë kualifikuar rreth 21 mijë blegtorë dhe bletarë, ndërsa aplikantëve iu dha mundësia për të plotësuar dokumentacionin shtesë të kërkuar. Numri më i madh i aplikimeve të kualifikuara lidhet me tufat e të imtave dhe bletarinë. Konkretisht, janë kualifikuar 7.234 aplikime për bagëti të imta, rreth 7 mijë për bletarinë, 6.661 për tufat e lopëve dhe 269 për mbarështimin e dosave.
Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2026 është ndarë në 12 masa, prej të cilave 9 janë masa direkte dhe 3 lidhen me investimet. Mbështetja direkte përfshin tufën bazë të gjedhit, tufën bazë të të imtave, bletarinë, dosat dhe paradosat, kontrollin biologjik, fermat organike, certifikimin Global G.A.P., sipërfaqet e mbjella dhe ripopullimin e ujërave të brendshme.
Në paketën e investimeve përfshihet mbështetja për fermerët e rinj deri në 40 vjeç, ndërtimi dhe rikonstruksioni i staneve, si dhe mekanizimi i bujqësisë.
Për fermerët, mbështetja përmes kësaj skeme synon të lehtësojë kostot e prodhimit, të përmirësojë cilësinë dhe standardet e produkteve, si dhe të nxisë investimet dhe praktikat më të qëndrueshme në bujqësi. Tashmë, vëmendja është te përfundimi i procedurave dhe kalimi i pagesave në llogaritë e të gjithë përfituesve të kualifikuar.












