Besueshmëria dhe qëndrueshmëria ecin gjithmonë bashkë. Ato janë themeli jo vetëm për krijimin e marrëdhënieve të shëndetshme me klientët, por edhe për ndërtimin e një biznesi të fortë.
E vërteta është e thjeshtë: si mund të prisni që klientët tuaj të jenë besnikë dhe të rikthehen vazhdimisht, nëse vetë biznesi juaj nuk është i pranishëm në mënyrë të vazhdueshme?
Pas më shumë se dy dekadash pune me biznese të vogla, një gjë është bërë e qartë: marketingu i paqëndrueshëm sjell rezultate të paqëndrueshme. Bizneset që kujtohen të reklamojnë vetëm kur bien shitjet harrohen shumë më shpejt sesa ato që mbeten vazhdimisht të dukshme për publikun.
Potenciali për rritje është shumë më i madh nga sa mendojnë shumica e sipërmarrësve. Mjafton të shfaqeni vazhdimisht përpara klientëve potencialë. Ja tre mënyra për ta bërë këtë.
1. Jini të pranishëm vazhdimisht në çdo kanal ku ndodhen klientët
Besnikëria ndaj një marke fillon me besimin, ndërsa besimi ndërtohet përmes qëndrueshmërisë.
Një biznes që reklamohet në Facebook vetëm herë pas here nuk arrin të krijojë ndikim të mjaftueshëm për t’u kujtuar nga klientët.
Studimet tregojnë se klientët që rikthehen shpenzojnë më shumë. Ata realizojnë transaksione me vlerë më të lartë, duke shpenzuar mesatarisht 23% më shumë në sektorin e ushqimeve dhe 67% më shumë në industrinë e veshjeve krahasuar me blerjet e para.
Edhe përvoja e autorit të artikullit konfirmon të njëjtën prirje. Sipas tij, gjatë periudhës 2020–2024, klientët që riktheheshin shpenzuan 178% më shumë sesa klientët e rinj.
Një nga mënyrat më efektive për të krijuar besnikëri është t’u jepni klientëve përshtypjen se biznesi juaj është kudo ku ata shohin.
Kjo do të thotë që reklamat në Facebook, Instagram, TikTok, Google, email apo edhe materialet promocionale të printuara duhet të kenë të njëjtin mesazh, të njëjtin identitet vizual dhe të njëjtën ofertë. Qëllimi nuk është vetëm të shiheni, por të krijoni një përvojë të njëjtë në çdo pikë kontakti me klientin.
Një kompani që ofronte shërbime për pastrimin e sipërfaqeve me presion në San Antonio, Teksas, zbatoi një strategji marketingu në disa kanale njëkohësisht. Ajo përdori reklama të targetuara në Google, Gmail, Facebook dhe Instagram, reklama video në platformat Roku dhe Prime Video, si edhe dërgoi kartolina promocionale tek të njëjtët klientë potencialë që synonte online.
Të gjitha reklamat kishin të njëjtin dizajn, të njëjtin mesazh dhe të njëjtin objektiv.
Pas dërgimit të 15.756 kartolinave, paralelisht me fushatat dixhitale, kompania gjeneroi 41.134 dollarë të ardhura, ndërsa kostoja për çdo kartolinë ishte vetëm 61 cent.
Marketingu në shumë kanale nuk është një formulë magjike. Ai thjesht rrit numrin e herëve që njerëzit shohin markën tuaj, gjë që ndikon që ta kujtojnë më lehtë dhe të krijojnë një perceptim pozitiv për biznesin tuaj. Kjo, në fund, i shtyn drejt blerjes.
2. Mblidhni të dhënat e duhura për klientët dhe përdorini për një komunikim të personalizuar
Shumë biznese bëjnë të njëjtin gabim: arrijnë të tërheqin vizitorë në faqen e internetit, por nuk krijojnë një mënyrë për të vazhduar komunikimin me ta.
Të sjellësh dikë në faqen tënde është vetëm hapi i parë.
Për këtë arsye është e rëndësishme të mblidhen të dhënat e klientëve që në kontaktin e parë dhe të pasurohen gradualisht.
Fillimisht mjaftojnë emri dhe adresa e emailit. Më pas mund të shtohen informacione si shërbimi për të cilin janë të interesuar, numri i telefonit apo vendndodhja.
Në këtë pikë bëhet i domosdoshëm përdorimi i një sistemi CRM, i cili ruan në një vend të vetëm të gjitha informacionet për klientët dhe historikun e komunikimeve me ta, si telefonatat, ofertat e dërguara apo bisedat e zhvilluara.
Sa më herët të fillojë përdorimi i një CRM-je, aq më e lehtë bëhet organizimi i marrëdhënieve me klientët.
Por vetëm mbledhja e të dhënave nuk mjafton.
Nëse një klient ka kërkuar informacion për një shërbim të caktuar, komunikimi i mëtejshëm duhet të lidhet pikërisht me atë shërbim, jo me oferta të përgjithshme.
Nëse i keni telefonuar dhe nuk është përgjigjur, mund ta ndiqni me një email ose një kartolinë promocionale.
Nëse ka bërë një blerje së fundmi, mund t’i sugjeroni produktin ose shërbimin që ka më shumë kuptim si hap i radhës.
Personalizimi nuk nënkupton vetëm vendosjen e emrit të klientit në fillim të një emaili. Ai do të thotë të përdorni informacionin që keni për ta bërë komunikimin më të dobishëm, më të përshtatshëm dhe më relevant.
Kjo është ajo që e shndërron interesin në veprim.
Në pamje të parë mund të duket një proces i ndërlikuar, por pasi sistemi vendoset në funksion, ai mund ta çojë marketingun dhe rezultatet e biznesit në një nivel krejt tjetër.
3. Automatizoni marketingun që të mos humbni asnjë mundësi
Një CRM nuk shërben vetëm për të organizuar të dhënat e klientëve. Ai mund të lidhet edhe me sisteme automatike marketingu, të cilat sigurojnë që komunikimi të vazhdojë edhe pa ndërhyrjen tuaj të vazhdueshme.
Pasi të vendosen disa rregulla të thjeshta, sistemi mund të dërgojë automatikisht mesazhe ose oferta sa herë që ndodh një situatë e caktuar.
Këto situata mund të jenë:
- kur një klient kryen një blerje;
- çfarë produkti ose shërbimi ka blerë;
- kur i përfundon periudha e një shërbimi;
- kur ka kërkuar një ofertë;
- kur nuk ka reaguar për një periudhë të caktuar kohore.
Këto janë vetëm disa shembuj. Çdo biznes mund të përcaktojë momentet që kanë më shumë rëndësi dhe të ndërtojë automatizime bazuar në to.
Mjafton që këto sinjale të lidhen me platformat e marketingut dhe komunikimi vazhdon automatikisht.
Shumica e njerëzve janë mësuar të marrin email mirëseardhjeje pasi regjistrohen, kujtesa për produktet e lëna në shportë ose mesazhe pas kërkesës për informacion.
Megjithatë, jo të gjithë e dinë se automatizime të ngjashme mund të realizohen edhe përmes materialeve promocionale të printuara.
Studimet tregojnë se konsumatorët e kujtojnë një markë 70% më mirë kur marrin një material promocional fizik sesa kur shohin vetëm një reklamë online.
Pasi këto sisteme vendosen në funksion, qëndrueshmëria nuk varet më vetëm nga angazhimi i përditshëm i biznesit. Marketingu vazhdon të funksionojë automatikisht.
Rritja afatgjatë nuk vjen nga fushatat sporadike, por nga prania e vazhdueshme përpara klientëve.
Bizneset që komunikojnë rregullisht, krijojnë një përvojë të njëjtë në çdo kanal dhe ndërtojnë marrëdhënie të personalizuara kanë më shumë gjasa të fitojnë jo vetëm klientë të rinj, por edhe besnikërinë e atyre ekzistues.
Në fund, pikërisht kjo besnikëri është ajo që e mban një biznes në rritje për shumë vite./INC












