Shega është një frut me forcë antioksiduese të rrallë. Në sajë të kësaj force, ajo mbron organizmin nga shumë faktorë të rrezikshëm, siç janë radikalet e lira që prodhohen në organizëm natyrshëm dhe që shtohen se tepërmi nga mënyra abuzuese e jetesës si duhanpirja, alkooli, ajri i ndotur, kequshqyerja dhe predispozita gjenetike.
Në një nga studimet për këtë frut, është vënë re se lëngu i shegëve, që përftohet nga shtrydhja, ka rezultuar të ngadalësojë rritjen e masës tumorale në mushkri, në minj eksperimentalë.
Sidomos për personat që janë duhanpirës, pasi rreziku që ata të preken nga kjo sëmundje është shumë herë më i madh në krahasim me ata që nuk pinë duhan.
Ky efekt është i lidhur me forcën e madhe antioksiduese që ka shega, e cila gjendet pikërisht te ngjyra e kuqe e saj dhe ul inflamacionin. Mendohet që shegët kanë më shumë fuqi antioksiduese se sa vera e kuqe dhe çaji jeshil, të përfolur së tepërmi kohët e fundit.
Sasia e nevojshme e konsumit të këtij fruti, në mënyrë që të përftohen këto përfitime është e barabartë me 2-3 gota lëng në ditë.
Studime të fundit tregojnë se një substancë, që gjendet te shegët, mund të përpunohet nga mikrobe të florës sonë bakteriale dhe nga ky përpunim të prodhohet një molekulë që ndihmon muskujt të rigjenerojnë veten.
Është zbuluar se lëngu i shegës i kombinuar me 2-3 hurma arabie në ditë, mund të ofrojë një mbrojtje tepër efektive kundër sëmundjeve të zemrës dhe hemorragjisë cerebrale.












