Sipas ekspertes së lidershipit Dorie Clark, suksesi afatgjatë nuk kërkon gjithmonë të pranosh më shumë mundësi. Ndonjëherë kërkon të thuash “jo”, të punosh pa duartrokitje dhe të pranosh se ke ndryshuar.
Sipas CNBC Make It, një nga gjërat që i dallon profesionistët që mendojnë në planin afatgjatë është gatishmëria për të përballuar situata që në momentin e parë nuk ndihen aspak mirë. Ekspertja e lidershipit Dorie Clark thotë se suksesi nuk ndërtohet vetëm duke punuar fort, por edhe duke marrë vendime të vështira që mund të mos japin rezultat menjëherë.
E para është të thuash “jo” edhe kur mundësia është e mirë. Problemi, sipas Clark, është se kalendarët tanë mbushen shumë lehtë me gjëra që janë interesante, por jo domosdoshmërisht të rëndësishme. Një ftesë, një projekt apo një mundësi mund të duket shumë tërheqëse, por pyetja që duhet bërë është: “Nëse them po, çfarë duhet të lë pas?” Sepse duke pranuar çdo gjë, mund të mos na mbetet më hapësirë për atë që ka vërtet rëndësi.
E dyta është të vazhdosh të punosh edhe kur askush nuk po të sheh. Në fillim, një aftësi e re, një projekt personal apo një ide mund të mos marrë asnjë reagim. Kjo është pjesa kur është shumë e lehtë të mendosh: “Çfarë kuptimi ka, nëse askush nuk po e vëren?” Por Clark argumenton se pikërisht përsëritja në këtë fazë ndërton ekspertizën. Ajo sjell shembullin e gazetares Kara Cutruzzula, e cila nisi një newsletter ditor për një rreth të vogël njerëzish dhe, pas më shumë se 800 botimesh, puna e saj tërhoqi vëmendjen e një redaktori që i ofroi një libër.
Dhe e treta mund të jetë më e vështira: të pranosh se ndoshta nuk do më atë që dikur ke dashur. Mund të kesh investuar dhjetë vite në një karrierë, të kesh ndërtuar një identitet rreth saj dhe papritur të kuptosh se nuk të përshtatet më. Sipas Clark, shumë njerëz qëndrojnë gjatë në një drejtim jo sepse janë të lumtur, por sepse ndryshimi u duket si një tradhti ndaj personit që kanë qenë deri tani.
Shenjat mund të jenë të vogla: nuk mezi pret më të shkosh në punë, fillon të të tërheqë vazhdimisht një fushë tjetër ose kupton se mënyra si të përshkruajnë të tjerët nuk përputhet më me atë që ndien për veten. Këto nuk janë domosdoshmërisht shenja se duhet të lësh gjithçka menjëherë, por mund të jenë arsye për të ndalur dhe për të pyetur veten nëse objektivat e dikurshme janë ende të tuat.
Mesazhi i Clark është paksa kundërintuitiv, suksesi nuk është gjithmonë të shtosh më shumë në listën e gjërave që bën. Ndonjëherë është të heqësh, të presësh, të punosh në heshtje dhe të pranosh se ke ndryshuar. Sepse në planin afatgjatë, jo çdo “po” të çon përpara, disa nga vendimet më të rëndësishme mund të fillojnë pikërisht me një “jo”.











