U kthye nga SHBA për të kultivuar fruta ekzotike në Divjakë

Pak vite më parë kultivimi i bimëve dhe frutave ekzotike në vendin tonë mund të tingëllonte si një aventurë, por sot fermerët shqiptarë kanë arritur të kultivojë dhe të prodhojnë në masë disa lloje. Në Divjakë kanë dalë në treg frutat ekzotike të prodhuara po në këtë vend. Ato shiten me çmim nga 15-20 euro për kg. Kërkesa është disa herë më e lartë, se sa prodhimi, tregon Irakli Shkoza, i cili është i pari në vendin tonë që ka nisur prodhimin eksperimental të frutave me origjinë nga vendet me klime tropikale.

Dhe këtë mund ta arrinte vetëm një profesionist si Irakli Shkoza. Agronom në profesion emigroi ne vitet 1990 në SHBA dhe prej 4 vitesh tashmë është rikthyer në Divjakë, me një vizion të ri. Ka kultivuar në një sipërfaqe prej 3 hektarësh, fruta dhe perime ekzotike. Kjo është e vetmja fermë që merr farat në Afrikë dhe në Amerikën e Latine për ti mbjellë në fushën më pjellore të Shqipërisë.

“Nëse do flasim për frutin e pasionit tashti është produkti që njihet dhe jemi futur në markete. Nuk prodhojmë shumë, ne nuk përballojmë dot kërkesat. Por mund të them se përpara 3 vitesh kur e nisëm këtë sipërmarrje nuk kishte treg fare. Sot prodhojmë disa kontigjente, por kërkesat janë shumë më të mëdha se tani e njohin dhe e kërkojnë.- tha fermeri.

Por kush janë blerësit e frutave ekzotike të Divjakës?

Shumë lokale të mira në vend, që i njohin këto fruta, që kanë qenë emigrant janë takuar me këto fruta ia dinë vlerën dhe rëndësinë dhe çmimet, përveç kësaj më e rëndësishmja, një prodhues nuk duhet të ketë frikë se shtohet prodhimi. Shumica dërrmuese e Evropës, por janë konsumatorë të mëdhenj, për mua nuk është problem tregu por prodhimi” – vijoi fermeri.

Këto fruta e perime kërkohen nga tregu dhe përshtaten me kushtet klimaterike të Divjakës dhe gjithë ultësirës perëndimore.

“Dragon fruit është kaktus dhe vjen nga Amerikës Latine, në Shqipëri nuk qe menduar të kultivohet por ja rezultati që kemi sot. Kemi tre vite që e kemi mbjellë dhe sot kemi frutat e para. Vitin tjetër do të jetë totalisht në prodhim. Në vendet tropikale bëhen në fushë të hapur, ndërsa këtu duan sera apo gjysmë sera, e rëndësishme që prodhohen këtu. Me interes për fermerët tanë”. – përfundoi fermeri.

Burimi: Diaspora Shqiptare