Nëse jeni në kërkim të aventurës, mrekullive të shumta natyrore apo majave të larta, relievi i Shqipërisë ua mundëson këtë. Jo vetëm majat në veri të vendit, por edhe malësia e jugut të ofron një natyrë përrallore për të apasionuarit në ecje.
Vlora është e pasur jo vetëm me histori, por edhe natyrë që të lejon të ushtrosh të gjitha llojet e sporteve, ujore, ajrore, si edhe aventurat unike të ngjitjes në mal. Në Parkun Kombëtar të Llogarasë ju mund të gjeni një faun dhe florë të pasur në thellësinë e pyjeve të parkut. Për alpinistët një mundësi e mirë është të arrijë në majë të malit të Qorres, për të shijuar panoramën magjike të detit, e cila ndërthuret me male dhe pisha.
Maja e Qorres në malin e vetëtimave
Malësia Akrokeraune është një vargmal bregdetar në jug të Shqipërisë, i cili shtrihet përgjatë detit Jon, duke filluar nga Orikumi në veriperëndim dhe vijon drejt juglindjes në drejtim të Sarandës. Pjesa më e lartë është Maja e Çikës 2045 m dhe Maja e Qorres 2018 m.
Maja e Çikës madje zë edhe vendin e 85-të të majave më të larta të maleve në Evropë, çka e bën këtë majë pjesë të guidave vendase dhe të huaja. Klima është mesdhetare, me verë të nxehtë dhe dimër të ftohtë e të thatë.
Laurant Lamaj gazetar në zonën e Vlorës, thekson se ngjitja në majën e Qorres, është i nivelit mesatar dhe kërkohet përgatitje fizike dhe mendore. Gjatësia e këtij shtegut është 3.5 km dhe udhëtimi zgjat 4-5 orë. Për të gjithë të apasionuarit që duan të përshkrojnë këtë shteg nisja bëhet nga Vlora për në Llogara, nga ku do të vijojë ngjitja për në majën e Qorres. Laurant shpjegon se pas më shumë se dy orësh ecje, në një terren që është kryesisht me ngjitje dhe disnivel, afrohesh pranë shtegut që e ndan më dysh malin e Çikës. Një mal i cili është i njohur për biodiversitetin e tij të pasur me bimësi si bredhi bullgar, pisha austriake, pisha boshnjake dhe pisha maqedonase, të cilat për fat të keq kanë filluar të thahen.
Arritur në këtë pikë Lauranti thekson se marrim në të majtë për të dalë në majën e Qorres, nëse do të vazhdojmë drejtë rruga të drejton drejt majës së Çikës dhe malit me të njëjtin emër. Vendasit e quajnë edhe mali i vetëtimave, të cilat kanë lënë gjurmët e tyre në pemët e goditura dhe të djegura.
Çfarë mund të sodisësh
Nga maja e Qorres këndi i shikimit rrok një pamje 360 gradë, nga ku duken lumi i Vlorës me fshatrat dhe zonën përreth, malet e Labërisë përmbi lumë, nga ku kalon për në Kurvelesh, Nivicë e Tepelenë. Në të majtë është Joni me të gjithë fshatra e bregut që i gjejmë në librat e Petro Markos dhe këngët e Lefter Çipës, i cili shprehet: “Fshati sipër reve. Ngritur përmbi maja. Ç’u thotë rrufeve. Pa rrini pak mbrapa”, ndërsa përballë shikon Orikumin e Vlorën dhe imagjinata duke i dhënë krahë fantazisë, përfytyron për një çast udhëtimin e Çezarit duke u ngjitur nga brigjet e Orikumit për në qafë të Llogorasë, për t’u ndeshur aty me Pompeun, ndaj edhe shtegu në Llogara quhet “Shtegu i Çezarit”.
Jo vetëm Hiking, por edhe Shijim të produkteve vendase
Dhe zbritja bëhet edhe me interesante pasi udhëtimi përmbyllet duke drekuar në restorantet të cilat janë pjesë e Parkut Kombëtar të Llogarasë, të cilët njihen për ushqimin e mirë me produktet e kosit dhe mishit bio nga kullotat e malit të Çikës, pasi banorët e kësaj zone shquhen për ushtrimit e blegtorisë.
Burimi: Into Albania