Ngrohja globale ka dëmtuar shumë prodhimin këtë vit. Mjalti ka regjistruar një rënie të prodhimit për disa faktorë në vendin tonë . Në një intervistë për Probizz.al Vitor Malutaj, kreu i Federatës së Bletërritësve të Shqipërisë thotë së duhet më shumë mbështetje me subvencione nga ministria e Bujqësisë dhe projekte zhvillimi.
Z. Malutaj si paraqitet ky vit sa i përket prodhimit të mjaltit?
Për shkak të kushteve jo të favorshme të motit ky vit ka qenë i dobët për prodhimin e mjaltit. edhe prodhimet e frutikulturës kanë qenë në nivelet 50-60 % të prodhimit të viteve të tjera, prodhimi i rrushit rreth 30 % dhe prodhimi i perimeve rreth 60 %. Pra, nuk ka patur lule të pllenuara, që do të thotë se nuk janë frekentuar nga bletët për të marrë nektar dhe polen.
Cilët janë faktorët që e bëjnë më pa konkuruese Shqipërinë
Ndryshimet e vazhdueshme të klimës , si thatësira e tejzgjatur gjatë verës dhe vjeshtës dhe pranvera me reshje shiu sidomos në kohën e lulëzimit të bimësisë. Demtimi i pyjeve dhe kullotave nga djegiet, erozioni dhe demtimi i ekosistemit. Përdorimi pa kriter i herbicideve dhe pesticideve në kulturat drufrutore dhe në perime, duke përdorur pesticide të dëmshme për bletët dhe në periudha të ditës kur bletët janë në kullotë. Raste të tilla kemi patur sidomos në Sarandë, por edhe në Elbasan, etj.
Mbështetje e vogël me subvencionime dhe projekte zhvillimi.
A ka akses Shqipëria në tregjet e Bashkimit Europian?
Shqipëria ende nuk ka akses në tregjet e BE. Ndërsa eksportohen rreth 40-50 ton mjaltë në tregjet e huaja, kryesisht në SHBA, Kinë, Singapor, Japoni, Kosovë etj. Aktualisht Ministria e Bujqësisë po punon në nivel rajonal me vendet e CEFTA për të bërë të mundur hapjen e eksporteve me procedurë të thjeshtuar dhe një dokumentacion të unifikuar mes vendeve të rajonit.
A kontrollohen nga shteti produktet e bletarisë ?
Si të gjitha produktet e tjera bujqësore, edhe ato të bletarise i nënshtrohen planeve te monitorimit të cilësisë për sigurinë ushqimore. Monitorimet ose kontrollet e cilësisë janë dy llojesh, të planifikuara dhe të detyrueshme që bëhen nga Institucionet e Sigurisë Ushqimore.
Shumë më shumë kontrolle nga autoritetet shtetërore dhe ligjzbatuese duhet të ketë në tregjet e lira dhe tregun informal, si per dokumentacionin ashtu edhe sigurinë ushqimore.
Sa mbështetje ka nga Ministria e Bujqësisë ?
Nuk mjafton vetëm një subvencionim prej 6-7 euro për koshere siç ndodhi këtë vit, apo disa masa mbështetëse të tjera, të cilat nuk kanë një impakt tek të gjithe bletarët. Vendet e rajonit japin mbështetje 2-4 herë më të lartë.
Shqipëria ka kushte të mira për këtë sektor dhe ka kapacitete, por duhet investuar që bletët të shkojne tek kullota dhe jo të mbahen në një vend gjatë gjithë vitit.