Arti i produkteve të punuara me dorë vlerësohet në masë në të gjithë botën, por në Shqipëri, ai zë një vend të veçantë. Kështu duke sjellë në jetë pasionin e saj ndaj bizhuterive, kombinimit të tyre me veshjet e ndryshe, Vlera Haxhiraj nga Vlora, ka ndërtuar biznesin e saj të produkteve handmade.
Interneti ishte vendi i parë ku Vlera u prezantua me bizhuteritë e prodhuara nga rruazat japoneze miyuki. E gjithë lënda e parë që ajo përdor, rruazat japoneze, fijet për punimin e tyre dhe mjetet e tjera vijnë nga jashtë Shqipërisë.
Bizhuteritë “Miyuki”, arti japonez i ardhur nga kontinenti aziatik, janë një risi në tregun shqiptar dhe kanë tërhequr kaq shumë vëmendjen e të gjithëve me kombinimet aq të veçanta të ngjyrave dhe dizenjot unike që Vlera krijon. Teknika që ajo përdor për realizimin e tyre, punimi në tezgjah me endje dhe teknika e punimit kryq kërkojnë kohë, durim dhe përkushtim.
Rruazat Miyuki janë rruaza cilindrike xhami të njëtrajtshme, të cilat vijnë në katër madhësi dhe një mori ngjyrash. Ato kanë një formë tubi ose cilindri. Mësohet se ato janë zbuluar për herë të para para 60 vjetësh. Aksesorët që Vlera krijon me to janë byzylykë, vathë, varëse, shënjues librash etj.
Kombinimi i mundshëm i një shumëllojshmërie ngjyrash me stilin minimalist dhe aq të veçantë të tyre i ka dhënë mundësinë të zhvillojë pasionin e saj duke iu përshtatur kërkesave të ndryshme të klientëve të ndryshëm.
Vlera operon në treg me anë të shitjeve online dhe punimet e saj unike dhe shumëngjyrëshe kaq të pëlqyeshme mund të gjeni në mediat e saj sociale, si Instagram @miyukime_albania. /ProBizz.al