Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit

Për herë të parë një botim i plotë për Ismail Qemalin si LIDERSHIP!

Autor: Evarist Beqiri

Ismail Qemal Vlora përgjatë gjithë jetës u shqua si një lider i shkëlqyer. Një njeri i drejtë dhe i ndershëm, i cili besonte në atë që predikonte dhe në atë që bënte. 

Ai ishte i duruar, këmbëngulës dhe i qëndrueshëm. Ai kërkonte që t’i bindte dhe motivonte të tjerët dhe jo t’i detyronte ata drejt realizimit të synimeve të përbashkëta. Ai veproi në kohën e duhur dhe me stilin e tij të lidershipit arriti të themelonte një shtet. 

Ismail Qemali pati përballë pengesa thuajse të pakapërcyeshme, por me gjeninë e tij ai shpalli Pavarësinë, pa një ushtri dhe pa zhvilluar luftë.

Është fati ynë që kemi pikërisht atë themeluesin e shtetit shqiptar dhe modelin par excellence ku mund të mësojmë e të frymëzohemi, për të tejkaluar sfidat e së ardhmes.

Lidershipi është një proces i ndërlikuar, por në thelb ai ka të bëjë me aftësinë e liderit për të formësuar mendimet dhe veprimet e atyre që ai udhëheq. Një lider është i aftë të realizojë ndikimin nëse arrin të kuptojë se, përse njerëzit me të cilët ai punon, mendojnë, ndihen dhe sillen ashtu siç bëjnë. Ismail Qemali i kishte të qarta synimet që donte të arrinte. Ai ishte i aftë të kontrollonte, organizonte, mbikëqyrte dhe analizonte.

Ismail Qemal Vlora nuk ishte një lider i përsosur dhe për më tepër ai nuk udhëhiqte njerëz të përsosur. Por, ai i donte pa kushte njerëzit dhe popullin e tij. Ai ishte kurdoherë një mbrojtës i flaktë i interesit publik, si në periudhën kur shërbeu si funksionar i lartë i Perandorisë, ashtu edhe kur i shërbeu shtetit shqiptar. Këto ishin disa nga cilësitë e spikatura të lidershipit të jashtëzakonshëm të Ismail Qemalit.

Vlerësime për librin 

Ismail Qemali është quajtur vetvetiu THEMELUESI nga populli shqiptar. Figura e tij tregon se kombi shqiptar ka themele, ka bazë ku të rritet. Libri “Themeluesi”, i shkruar nga studiuesi Evarist Beqiri, vjen si një nevojë dhe si një domosdoshmëri për të riafirmuar Ismail Qemalin dhe kombin shqiptar. Një komb ka nevojë për riafirmime të herëpasherëshme dhe ky libër për Ismail Qemalin tregon se ai është një popull që do të riafirmohet si komb dhe do ta arrij këtë gjë padyshim.” 

ISMAIL KADARE

Metodologjia e këtij libri i ka mundësuar autorit të thellohet në analizën e tipareve dhe arritjeve të Ismail Qemal Vlorës si lider, përmes shtjellimit të fakteve historike dhe krahasimit me liderë të tjerë në Shqipëri e në botë.

Aurela Anastasi

Autori e trajton figurën e Ismail Qemalit si lider. Falë një pune të mundimshme autori ka mbledhur të dhëna të shumta, të rralla e shumë të vyera për këtë figurë të ndritur të historisë tonë kombëtare. Ka qëmtuar arkiva e biblioteka, autorë të huaj e shqiptarë duke zbuluar të dhëna të njohura pak ose aspak nga publiku shqiptar, por edhe ai i huaj.

Po kështu na përcjell me shumë vërtetësi ndikimin që historia familjare ka pasur në formimin e karakterit të tij si Prijës i ardhshëm i Kombit, si dhe ka analizuar edhe rrugëtimin e Ismail Qemalit si nëpunës i lartë në administratën e Perandorisë Osmane, gjatë të cilit ai kishte dëshmuar se zotëronte tipare e aftësi prej Lideri.

Nevila Nika

Ju njohim me autorin e librit

Evarist Beqiri

Evarist Beqiri u lind më 25 shtator 1982, në Vlorë. Në vitin 2007 diplomohet “Jurist” në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë. Po aty në vitin 2011, kreu studimet Master i Nivelit të Dytë. Në vitin 2017, fiton gradën shkencore “Doktor” në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë. 

Prej 14 vitesh shërben në administratën publike shqiptare në fushën e sigurisë kombëtare. Ka kontribuar si lektor në një sërë trajnimesh për sigurinë kombëtare, organizuar nga institucione kombëtare dhe ndërkombëtare.  

Njëkohësisht prej vitesh Evarist Beqiri është lektor i jashtëm në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, në lëndën: E Drejta Kushtetuese; dhe në Universitetin “Luarasi”, Fakulteti i Ekonomisë, në lëndën: Lidershipi. Ka botuar gjithashtu një parathënie origjinale në librin e përkthyer po prej tij “Lidershipi i John F. Kennedy” (2013).